Shkup, 7 tetor –  Sot prezantuam shtyllën e parë të programit tonë fitues – një plan gjithëpërfshirës i hartuar nga profesionistë për modernizimin e plotë të infrastrukturës së Çairit, me theks të veçantë në zgjidhjen përfundimtare të problemit të parkimit, që prej dekadash rëndon mbi qytetarët tanë.

Kështu u shpreh sot Izet Mexhiti, i cili premtoi se do të realizoj investimin më të madh në historinë e Çairit për hapësira parkimi.
Në qendër të komunës, nën sheshin “Skënderbeu”, do të ndërtohet parkingu nëntokësor me dy kate, me kapacitet për 800 automjete në një sipërfaqe prej 12.500 m². Ky projekt do të lirojë qendrën nga trafiku i rënduar dhe do të rrisë vlerën urbane të Çarshisë së Shkupit.
Në Fushë Topanë, do të rindërtohet parkingu i madh prej 2.150 m², që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në lagje.

Krahas kësaj, do të ndërtohen garazhe moderne me disa kate në pesë pika strategjike të komunës:
• te kompleksi “Çairçanja”,
• në lagjen “Sauk Çeshmja”,
• në Fushë Topanë,
• në bulevardin “Nikolla Karev”,
• dhe te salla “Partizani”.

Këto janë zgjidhje të përhershme për parkimin në Çair dhe garanci për një qytet më funksional e më të pastër.

Në fokus të planit është edhe transformimi i plotë i rrugëve.
Rruga “Cvetan Dimov” do të shndërrohet në bulevard modern me gjashtë korsi dhe shtigje biçikletash, ndërsa zgjerimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri” dhe lidhja “Xhon Kenedi” – “Nikolla Karev” do të krijojnë një korridor të ri komunikacioni, që do të ulë trafikun dhe do të lidhë më mirë Çairin me pjesën tjetër të Shkupit.